Në endërr a kllapi….

 

Nuk di në jam

në ëndërr a kllapi,

Por veten shoh

të shtrirë gjatë e gjerë,

Zë trupi im

hapësirën pa kufi,

Ky trupi im

zë Shqipërinë e tërë.

Përsipër sorra,

korba më vërtiten,

Përqark plot hiena,

qenër angullijnë,

Si t'isha kërmë

ata nuk po më shqiten

Që të më shqyejnë,

të më përpijnë.

Si shqip, sllavisht,

greqisht a dreqërisht

Me korbat

qent' e hienat ulurasin,

Pastaj mbi mua

turren qenërisht,

Nga kockat mishin shpejt

që të ma zhvasin.

S'duroj dot korbat

mishin kur ma grijnë,

As hienat

kur kockat m'i lëpijnë.

 

Durrës, Tetor 1991 

 

 

 

Back to Top